Plani i rritjes 2025 – 2027, Shqipëria ka tërhequr vetëm 17 për qind të fondeve
Shqipëria ka përfituar rreth 163.8 milionë euro nga 922.1 milionë euro të alokuara në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së, ose vetëm 17 për qind të totalit të parashikuar.
922.1 milionë euro të alokuara për Shqipërinë
Shqipëria ka nisur të përfitojë fondet e para nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor 2024–2027, por shumat e disbursuara deri tani mbeten larg nivelit të pritshëm. Plani, që zbatohet nga viti 2023 deri në 2027, mbështetet nga një Fond për Reforma dhe Rritje me vlerë 6 miliardë euro për rajonin, me synim përshpejtimin e integrimit ekonomik me tregun e vetëm të BE-së, forcimin e integrimit rajonal dhe avancimin e reformave kyçe.
Sipas një analize të Drejtorisë së Zgjerimit në BE për “Fondet e BE-së në Shqipëri”, deri në vitin 2025 Shqipërisë i janë alokuar gjithsej 922.1 milionë euro në formën e granteve të pakthyeshme dhe huave me kushte të favorshme për zbatimin e agjendës së reformave.
Vetëm 163.8 milionë euro të disbursuara
Megjithatë, deri tani vendi ka përfituar vetëm një pjesë të këtij financimi. Fillimisht janë dhënë 64.5 milionë euro si parafinancim, ndërsa në tetor 2025 u disbursuan edhe 99.3 milionë euro të tjera pas progresit të raportuar në zbatimin e reformave.
Në total, fondet e tërhequra arrijnë në rreth 163.8 milionë euro, ose afërsisht 17.7 për qind të shumës së përgjithshme të planifikuar. Rreth 758 milionë euro mbeten ende për t’u disbursuar gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm, në varësi të përmbushjes së objektivave të vendosura nga Bashkimi Europian.
Kushtëzim me reforma dhe standarde
Fondet parashikohet të ndahen pjesërisht për buxhetin e shtetit dhe pjesërisht për projekte infrastrukturore përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Synimi është përmirësimi i klimës së biznesit, nxitja e tranzicionit të gjelbër dhe digjital si dhe afrimi i ekonomisë shqiptare me standardet e BE-së.
Tërheqja e fondeve është e lidhur drejtpërdrejt me përmbushjen e reformave, standardet e sundimit të ligjit, transparencën dhe luftën kundër korrupsionit. Sipas dokumentit të Komisionit Europian, pagesat kryhen vetëm pas verifikimit të progresit konkret në zbatimin e Agjendës së Reformës.
Pjesa e mbetur prej rreth 758 milionë eurosh nuk është e garantuar automatikisht, por varet nga performanca e institucioneve dhe nga besueshmëria e procesit reformues. Ritmi i disbursimeve në vijim do të përcaktohet nga rezultatet konkrete dhe menaxhimi transparent i fondeve publike.